SHQIP [ALBANÉS]

MANIFEST

Tradución: Giovanni Belluscio

HYRJE

Gjuha galiciane është trashëgimia kulturore më e çmuar e popullit galician. Ajo na identifikon për atë që ne jemi, galiciane dhe galicianë, dhe është pikërisht ajo që na siguron një vend të veçantë në botë.

FAKTE PARAPRAKE

Ne, galicianët ndihemi krenarë për gjuhën tonë mijëvjeçare dhe me një të kaluar të lavdishme që, lidhur me ngjarjet politike, në dekadat e para të shekullit XVI hyri në një tunel qetësie të përdhunët duke u transformuar, brez pas brezi, në mjet emargjinimi dhe vuajtjeje morale dhe fizike. Përdorimi gojor i pandërprerë i kësaj gjuhe nga njerëzit e thjeshtë dhe puna e elitës intelektuale, duke filluar që nga shekulli XIX, arritën ta riaftësonin atë duke e bërë të mundur shpëtimin e saj, e cila konsiderohet element kryesor i identitetit të galicianëve dhe themeli i kulturës sonë.
Puna e këtyre njerëzve bëri që Galicia të jetë sot një kombësi historike më autonomi politike në mënyrë që të gjitha qeveritë autonome të arrinin të krijonin themelet për riaftësimin shoqëror të gjuhës galiciane, sidomos në mësimdhënie, në administratë dhe në mjetet e komunikimit publik.

PREZANTIM

ProLingua është një platformë e krijuar nga njerëz me ideologji dhe profesione nga më të ndryshmet dhe ka si qëllim promovimin e gjuhës galiciane si gjuhë e Galicies (dhe të viseve përreth) dhe arritjen e statusit zyrtar real të saj, çka mund të arrihet vetëm nëpërmjet përdorimit të saj normal në fusha nga të cilat ajo faktikisht është ende e mënjanuar, si në botën e ndërmarrjeve, në gjyq dhe në shërbime të tjera publike dhe private, sidomos në mjetet e komunikimit.
Lidhur me këtë, ne deklarojmë si objektive të pamohueshme të ProLingua-s tërësinë e përmbajtjeve të Ligjit për Normalizimin Gjuhësor të vitit 1983 dhe Planin e Përgjithshëm të Normalizimit të Gjuhës Galiciane të vitit 2004, që patën, të dy, miratimin e njëzëshëm nga ana e Parlamentit të Galicies.
Ne jetojmë në një Shtet me të drejta prandaj si qytetare dhe qytetarë kërkojmë që të jetë zbatuar në mënyrë të plotë legjislacioni i tanishëm që i përket të drejtave gjuhësore. Në të njëjtën kohë lypim që të mos realizohet asnjë ligj tjetër që mund të implikojë, nga ana e galicianeve dhe të galicianëve, humbjen e të drejtave për sa i përket përdorimit, njohjes së gjuhës galiciane dhe ruajtjes së saj si shenjë e identitetit galician.

FUNKSIONIM

- Vendoset si kusht i vetëm, për njerëzit që dëshirojnë të mbështesin këtë platformë, angazhimi për mbrojtjen e gjuhës galiciane dhe sidomos për promovimin e përdorimit të saj në të gjitha fushat si publike ashtu dhe private.

-Duke qenë se gjuha galiciane është pasuri e popullit galician, sprapsim çdo pretendim për ta përvetësuar atë ose për t’ia nënshtruar çdo grupi ose ideologjie të veçantë. Për këtë arsye ProLingua shpallet si platformë jopartiake dhe plurale.

-Anëtarët e ProLingua-s janë të tillë vetëm në mënyrë personale dhe nuk kanë asnjë titull për të përfaqësuar grupe ose shoqata në lidhje me anëtarësimin e tyre në këtë platformë.

-ProLingua do të promovojë çfarëdolloj veprimtarish në drejtim të arritjes së qëllimeve të veta; në të kundërtën, si ProLingua, ajo s’do të përkrahë asnjë veprimtari jashtë platformës, kurse çdo anëtar mbetet i lirë të marrë pjesë në mënyrë individuale.

-Kur në ndonjë veprimtari është e pranishme logo-ja e ProLingua-s asnjë tjetër logo nuk mund të pranohet, cilido të jetë lloji dhe motivimi i saj.

-Përfaqësimi i ProLingua-s u takon të gjithë anëtarëve në mënyrë të barabartë dhe çdo marrëdhënie me pushtetin publik do të ketë si qëllim ekskluziv arritjen integrale të qëllimeve të vetë platformës.